45 Vjet së Bashku: Një Udhëtim me Shpresë dhe Solidaritet

08 Dhjetor 2025

Më 14 nëntor, ne shënuam 45-vjetorin e themelimit të JRS, një ditë që na rikujtoi fillimet e organizatës dhe udhëtimin e gjatë që ka sjellë shpresë, siguri dhe mbështetje për shumë njerëz. Gjatë kësaj dite ndamë histori nga rruga e JRS dhe vizionin e themeluesit tonë, At Pedro Arrupe, i cili vendosi themelet e misionit dhe frymëzoi mënyrën si ne vazhdojmë të punojmë sot.

Për të festuar këtë përvjetor, ne u mblodhëm me miqtë tanë në një aktivitet të mbushur me energji dhe pozitivitet. Gjatë takimit, secili pati mundësinë të lidhej me të tjerët, të ndante përvojat e veta dhe të njihte më thellë historinë e JRS. Këto momente ofruan frymëzim dhe kujtime të reja, duke treguar se sa i rëndësishëm është bashkimi dhe mbështetja.

Aktiviteti ishte i mbushur me lojëra dhe muzikë, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe plot te qeshura. Secili u ndje i lirë të shijonte momentin, të lidhej me të tjerët dhe të krijonte kujtime të reja që tejkalonin vetë këtë ditë. Ishte kënaqësi të shihje energjinë dhe gëzimin e pjesëmarrësve.

Një pjesë e veçantë e festës ishte torta, rreth së cilës u mblodhëm për të shënuar simbolikisht 45 vitet e punës sonë si një familje e madhe. Kjo tortë përfaqësonte gjithë këto vite përkushtimi, sfida të përbashkëta dhe bashkëpunime që kanë sjellë dritë për shumë njerëz që kanë kaluar nëpër vështirësi të ndryshme të migrimit.

Dita u pasurua edhe me dhurata nga miqtë tanë, një shenjë e vogël mirënjohjeje që i dha festës një dimension emocional. Kjo ishte një kujtesë se misioni ynë është i mbështetur nga zemra të mira, nga njerëz që besojnë te puna jonë dhe duan të jenë pjesë e udhëtimit tonë.

Në fund, festa u mbyll me një ndjesi të bukur bashkimi. U larguam me buzëqeshje dhe me bindjen se vlerat tona të përbashkëta janë ato që e mbajnë JRS të fortë dhe të qëndrueshëm prej 45 vitesh. Ky përvjetor na rikujtoi se gjithçka që kemi arritur është falë njerëzve, falë miqve, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit që na rrethon, dhe se rrugëtimi jonë do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim.