Një javë plot të qeshura, lojëra dhe miqësi për fëmijët
24 Tetor 2025
Gjatë muajit korrik, patëm kënaqësinë të mbështesim gjashtë fëmijë të moshës nga 6 deri në 15 vjeç për të marrë pjesë në një kamp veror gjithëpërfshirës, që u zhvillua për një javë në një ambient të sigurt dhe mikpritës në natyrë. Këta fëmijë, që aktualisht jetojnë larg vendlindjes së tyre, përjetuan një eksperiencë të veçantë që i ndihmoi të lidhen me bashkëmoshatarë të tjerë, të luajnë lirshëm dhe të krijojnë kujtime që do t’i shoqërojnë gjatë jetës.
Agjenda e kampit përfshinte një gamë të gjerë aktivitetesh argëtuese dhe edukative, nga lojëra në natyrë, sporte dhe punëtori krijuese, deri te aktivitetet bashkëpunuese si ndërtimi i ekipit, kajaku, qeramika, lojëra me ujë dhe momente të veçanta argëtuese. Për shumë prej tyre, kjo ishte një përvojë e re, një hapësirë ku ndiheshin të lirë të eksploronin, të mësonin dhe të ndërtonin vetëbesimin përmes lojës.

Lana, një nga pjesëmarrëset, ndau përvojën e saj me këto fjalë:
“Ishte një përvojë absolutisht e mahnitshme! U kënaqa shumë, bëra shumë shokë të rinj dhe me të vërtetë shijova të gjitha sfidat dhe lojërat. Mësuesit ishin të mrekullueshëm, ndihesha sikur ishim një familje e madhe, duke luajtur, qeshur dhe mësuar së bashku. Me të vërtetë e desha çdo moment; ishte një nga javët më të mira të jetës sime.”
Edhe për Nazarin, kjo javë ishte e veçantë:
“Këtë verë shkova në Shkollën Verore për një javë dhe u kënaqa shumë. Bëra shokë, luajtëm futboll, bëmë aktivitete dhe shumë gjëra të tjera si ndërtim të ekipit, rrëshqitje ‘slip ’n slide’, kajak, gjëra që nuk do i imagjinoje se do i kishe në një shkollë verore. Kjo ishte një përvojë e shkëlqyer për mua!”
Ndërsa nëna e tij, duke reflektuar mbi përvojën e veçantë që pati djali i saj gjatë kampit, shtoi:
“Faleminderit për mbështetjen nga JRS, djemtë që tani janë larg vendlindjes së tyre patën mundësinë të kalojnë kohë të mrekullueshme me fëmijë të tjerë në krahun e natyrës. Nazari bëri shumë shokë të rinj. Bëri një enë me duart e tij në një orë qeramike. Dhe gjithashtu mori pjesë aktive në argëtimet e ndryshme. Ai ishte veçanërisht entuziast për ditën në liqen ku fëmijët ishin duke bërë kajak. Ishte një kohë e mrekullueshme.”
Për ne, çdo buzëqeshje e tyre gjatë kësaj jave ka një vlerë të veçantë. Fëmijët, pavarësisht prejardhjes apo situatës në të cilën ndodhen, meritojnë të ndihen të sigurt, të pranuar dhe të mbështetur, jo vetëm në nevojat e tyre bazike, por edhe në të drejtën për të përjetuar fëmijërinë me gëzim dhe dinjitet.
Ne do të vazhdojmë të krijojmë hapësira të tilla, ku fëmijët mund të luajnë, të mësojnë dhe të ndërtojnë kujtime që i japin ngjyrë të ardhmes së tyre.
