Ritme, Ngjyra dhe Solidaritet: Aktivitetet tona për Ditën Botërore të Refugjatëve

24 Tetor 2025

Në kuadër të Ditës Botërore të Refugjatëve, organizuam një sërë aktivitetesh me qëllim promovimin e përfshirjes, mirëkuptimit dhe ndërtimit të hapësirave ku secili ndjehet i mirëpritur dhe i respektuar. Përmes vallëzimit, punëdoreve, kuizeve dhe takimeve të përditshme, u munduam të reflektojmë së bashku mbi rëndësinë e kësaj dite dhe mbi përvojat që na lidhin.

Një nga aktivitetet më të veçanta ishte ai i vallëzimit tradicional, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Rinore “Brez pas Brezi”. Refugjatët patën mundësinë të njihen me disa nga vallet tradicionale shqiptare, të mësojnë lëvizje dhe ritme nga profesionistë të kësaj fushe dhe të përjetojnë një atmosferë të mbushur me energji dhe gëzim. Për shumë prej pjesëmarrësve, kjo ishte një përvojë e re dhe zbuluese, që jo vetëm i afroi me kulturën vendase, por krijoi një ndjenjë përkatësie përmes ritmit, muzikës dhe kontaktit të drejtpërdrejtë.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm u përqendrua në krijimtarinë dhe lojën. Gjatë punëtorisë me punëdore, pjesëmarrësit krijuan byzylykë dhe shënues librash, duke u angazhuar në një proces që kombinon kreativitetin, bashkëpunimin dhe ndarjen e ideve. Më pas, aktiviteti vazhdoi me një kuiz interaktiv që solli të qeshura, dinamizëm dhe shkëmbim të natyrshëm mes pjesëmarrësve. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe e hapur, duke krijuar një hapësirë ku secili mund të shprehet lirshëm dhe të ndihet pjesë e komunitetit. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët kontribuan me shumë përkushtim dhe pozitivitet.

Përveç aktiviteteve të organizuara në terren, gjatë kësaj kohe kemi pasur edhe takime të rregullta në zyrë me miqtë tanë. Këto momente të përditshme – të thjeshta në formë, por të thella në përmbajtje – janë një pjesë thelbësore e punës sonë. Përmes bashkëbisedimeve, dëgjimit aktiv dhe ndarjes së përvojave, vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë. Janë këto takime që shpesh krijojnë më së shumti hapësirë për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të nxitur përfshirjen në jetën e përditshme sociale dhe kulturore.

Dita Botërore e Refugjatëve nuk është vetëm një datë në kalendar, është një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin e atyre që janë larg vendlindjes dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë për të qenë pranë tyre çdo ditë. Përmes aktiviteteve të organizuara gjatë kësaj kohe, kemi dashur të përcjellim pikërisht këtë mesazh: që solidariteti nuk ndodh vetëm në ngjarje të mëdha, por ndërtohet në mënyrë të vazhdueshme, në momente të përbashkëta, në gjeste të vogla e të sinqerta.