Takime inspiruese me studentët e Universitetit të Prishtinës: Njohje, solidaritet dhe bashkëbisedim

24 Tetor 2025

Gjatë javëve të fundit, patëm kënaqësinë që, bashkë me refugjatët, të vizitojmë disa nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Këto takime u shndërruan në hapësira të hapura dialogu dhe njohjeje të ndërsjellë, ku studentët patën mundësinë të dëgjonin nga afër përjetimet e refugjatëve – histori reale të largimit, sfidave dhe të ndërtimit të një jete të re në një vend të panjohur. Ky shkëmbim i sinqertë përforcoi ndjeshmërinë dhe solidaritetin mes pjesëmarrësve.

Në Fakultetin Filozofik, u takuam me studentët e Departamentit të Shkencave Politike, ku refugjatët Rami nga Siria dhe Tetiana nga Ukraina ndanë rrugëtimin e tyre si refugjatë në Kosovë. Përmes rrëfimeve të tyre të hapura, ata sollën përpara sfidat e çdo dite, momentet e pasigurisë, por edhe shpresën që i ka mbajtur gjallë gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Studentët u angazhuan me pyetje dhe diskutime, duke shfaqur një interes të thellë për realitetin që qëndron pas statistikave dhe lajmeve.

Në një tjetër takim me studentët e vitit të dytë të Shkencave Politike, Tetiana krahas përvojës së migrimit, ndau shumë për Ukrainën, për historinë dhe kulturën e vendit të saj, si dhe për ngjarjet që kanë prekur jetën e njerëzve atje. Diskutimet u përqendruan në situatën aktuale dhe pasojat që lufta ka shkaktuar në komunitetin ukrainas, duke krijuar një dialog të pasur dhe duke i dhënë studentëve mundësinë të kuptojnë më mirë realitetin që po përjeton vendi i saj.

Në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, patëm mundësinë të takoheshim me studentë të cilët treguan interes për sfidat e profesionit të gazetarit në kohë lufte dhe krizash. Dy gazetare nga Ukraina, Iryna Synelnyk dhe Lyudmila Makey, të cilat aktualisht janë refugjate në Kosovë, ndanë me studentët përvojat e tyre profesionale dhe sfidat e përballjes me dezinformimin dhe manipulimin mediatik. Ato ndanë edhe fragmente nga kultura dhe historia e vendlindjes së tyre, duke i dhënë takimit një ngrohtësi dhe dimension njerëzor që preku të gjithë të pranishmit.

Një moment i veçantë ishte workshop-i në Fakultetin e Arteve, ku një refugjate ukrainase prezantoi artin tradicional të Petrykivkës, duke sjellë ngjyra dhe jetë në ambientin akademik. Me pasion ajo ndau me studentët teknikat e këtij arti, dhe së bashku krijuan vepra që reflektonin jo vetëm bukurinë e formave dhe ngjyrave, por edhe historinë dhe shpirtin e një kulture që përballon sfida të mëdha. Kjo ishte një përvojë e gjallë që krijoi lidhje të reja dhe frymëzoi të gjithë pjesëmarrësit.

Në secilin takim morën pjesë rreth 25-30 studentë, të cilët shfaqën interes dhe angazhim të lartë. Diskutimet ishin të gjalla dhe interaktive, duke krijuar një atmosferë ku secili u ndje i dëgjuar dhe i përfshirë. Ky komunikim i hapur ndihmoi në forcimin e mirëkuptimit dhe lidhjeve mes studentëve dhe refugjatëve. Përvoja dhe dialogu i ndarë gjatë këtyre sesioneve mbeten një frymëzim për të gjithë pjesëmarrësit dhe një hap drejt një bashkëjetese më të ndjeshme dhe të respektueshme.

Ne mbetemi të përkushtuar në krijimin e hapësirave ku refugjatët mund të ndajnë përvojat e tyre dhe të njihen më mirë me komunitetin ku jetojnë. Këto takime me studentët e Universitetit të Prishtinës janë dëshmi e rëndësisë së dialogut të hapur, që i ndihmon komunitetet të ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe solidariteti të qëndrueshëm.